Ervin Shahini, i njohur edhe me emrin Spartak Lazaj 50 vjeç, u ekstradua nga Koreja e Jugut drejt vendit tonë për të vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm si autor i 1 vrasje dhe 4 plagosjeve me thikë në vitin 1995.
Referuar njoftimit zyrtar, 50-vjeçari pasi i merrte si taksitë për të shkuar në destinacionet e kërkuara, i godiste shoferet me thikë, iu merrte automjetet dhe largohej nga vendi i ngjarjes. Ky aktivitet i tij është shtrirë nga Maji në Tetor të 1995-ës.
Pas arrestimit në atë kohë, ai u arratis gjatë trazirave në mars të vitit 1997. Policia tha se Interpol Tirana kishte rënë në gjurmët e tij fillimisht në vitin 2015.
Prej kësaj kohe Drejtoria e Interpol shkëmbeu informacione me agjenci të tjera, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e tij, deri në momentin e lokalizimit në Republikën e Koresë.
Të dhënat treguan se shtetasi Ervin Shahini përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar, për t’iu shmangur arrestimit.
Ekstradimi i 50-vjeçarit u përshëndet edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili me anë të një postimi në Facebook, tha se po punohet me intensitet për arrestimin e personave në kërkim.
Ngjarjet për të cilat është dënuar Ervin Shahini:
-më datë 15.05.1995, në bashkëpunim me 2 të tjerë., plagosi me thikë shtetasit P. B. dhe A. A.;
-më datë 10.07.1995, plagosi me thikë shtetasin S. H.;
-më datë 27.08.1995, vrau shtetasin Xh. A.;
-më datë 27.10.1995, plagosi me thikë shtetasin I. I.;
Tv Klan