Ekstremi i djathtë në Francë kërkon shpërbërjen e radikalizmit



Ekstremi i djathtë në Francë kërkon shpërbërjen e radikalizmit

22:46 22/10/2020

Vijon të nxisë debate dhe reagime të ashpra vrasja makabre e mësuesit francez. Palët politike gjithnjë e më shumë po përplasen për ekstremizmin që po mbizotëron në institucione.

Në një artikull të publikuar nga BBC, anëtarët e ekstremit të djathtë të Francës janë shprehur se qeveria në gjithë këto vite nuk ka ndërmarrë asnjë hap më shumë.

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka deklaruar se meqenëse terrorizmi është një akt lufte, nevojitet legjislacion i kohës së luftës kundër islamizmit radikal. Ajo kërkoi ndaj kreut të Elizesë ndryshime më të mëdha, duke përfshirë kufizime të mëtejshme të emigracionit.

Gjatë ceremonisë përkujtimore që u mbajt për nder të mësuesit Samuel Paty, Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh se laicizmi është baza e një France të bashkuar.

Në artikull thuhet gjithashtu se laicizmi është kthyer tani në një problem shumë serioz. Nga ndalimi i perçeve myslimane në plazhe te simbolet fetare në shkolla, ajo po ushqen ndarjet dhe po rrezikon të shtyjë disa myslimanë drejt ekstremizmit.

Sondazhet tregojnë se opinioni i francezëve ka ndryshuar shumë edhe pas sulmeve në redaksinë Charlie Hebdo. Një shumicë njerëzish mbështesin idenë që karikaturat e profetit Muhamed duhen publikuar për t’i treguar botës se ata po shkaktojnë konflikte kudo e ku vrasjet në emër të fesë po rriten shumë. Ndërkaq pjesa tjetër e të anketuarve myslimanë besojnë se botimi i imazheve të tilla është i gabuar.

Vrasja e mësuesit nga një adoleshent me origjinë çeçene po vë në rrezik sistemin arsimor në Francë pasi ngjarje të tilla mund të përsëriten. Në tubime dhe përkujtime, mësuesit kanë dalë masivisht, duke mbajtur parulla që mbrojnë shprehjen e lirë.

Identiteti fetar dhe liria e shprehjes në Francë sa vijnë e bëhen më komplekse. Në të gjitha periudhat ato përfshijnë ndikimin e konflikteve jashtë shtetit, racizmin dhe margjinalizimin shoqëror kryesisht nga emigrantët që kanë ardhur në Evropë.

Klan Plus




Të ngjashme