kokainNjë sasi e madhe kokaine që duhej të mbërrinte në portin e Durrësit është sekuestruar në Ekuador. Në një njoftim zyrtar të ministrisë së Brendshme të këtij shteti amerikano-latin, bëhet me dije se gjatë të mërkurës në Guajakil janë kapur 89 kilogramë drogë. Një person u arrestua në flagrancë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndës narkotike. Operacioni i policisë është zhvilluar në portin e këtij qyteti dhe kokaina është gjetur e fshehur në një kontenjer, me dysheme të dyfishtë, gati për t’u nisur drejt Europës. Forcat e rendit kishin mundur të siguronin informacione në rrugë operative për këtë trafik ndërkombëtar.

Droga ishte e ndarë në 80 pako dhe ishte e mbështjellë fillimisht me një letër speciale dhe nga jashtë me qese ambalazhi. Megjithatë, në këtë njoftim nuk ka asnjë detaj për personin pritës, apo kompaninë në Shqipëri, të ngarkesës që mbante kontenjeri dhe nga ana tjetër, nëse organet kompetente në vendin tonë janë vënë në dijeni për këtë çështje. Policia mendon se ka shkatërruar një linjë të rëndësishme të narko-trafikut ndërkombëtar, që fsheh drogën në  produktet ekuadoriane që shkojnë në eksport.

Guajakili është qyteti më i madh në popullsi dhe sipërfaqe dhe njëkohësisht, kryeqyteti ekonomik i Ekuadorit. Ai shtrihet në jug-perëndim të vendit, përgjatë rrjedhës së lumit Guajas.

TV KLAN