Viktima Behar Sofia, 66 vjeç, dyshohet për prishje të pazareve të drogës

Një atentat me armë zjarri u regjistrua këtë të enjte në kryeqytet, ku mbeti i vdekur Behar Sofia, 66-vjeçari i cili u qëllua me dy plumba sapo kishte dalë nga banesa e tij.

Kalimtarët e rastit pasi konstatuan një person të shtrirë dhe të gjakosur në trotuar, njoftuan menjëherë policinë dhe ambulancën.

Të parë që mbërriten në vendin e ngjarjes ishin forcat shqiponja. 66-vjeçari më pas është transportuar për në Spitalin e Traumës, por nuk mundi të mbijetojë pas dy plumbave që mori në gjoks. Ekzekutimi ndodhi në qendër të Tiranës, shumë pranë banesës së tij.

Sofia sapo kishte dalë nga ambientet e një lokali ku kishte pirë kafe, dhe ishte duke shëtitur në trotuarin e Lanës, përballë Piramidës. Viktima i njohur ndryshe dhe mbiemrin Seferi, por dhe emrin tjetër Fatmir, kishte lënë takim me një person, por që nuk mundi ta takonte.

Për këtë arsye hetuesit kanë ngritur dyshimet se ai mund të jetë nxjerrë në pritë. Kjo pistë përforcohet dhe nga fakti që 66-vjeçari kishte më shumë se dy javë që nuk dilte nga banesa pasi ishte infektuar me COVID-19.

Për eliminimin e 66-vjeçarit autorët përdorën pistoletë me silenciator, ndërsa më pas ata u larguan drejt rrugës së Elbasanit.

Hetuesit besojnë se autorët janë larguar me automjet, dhe kanë hedhur armën e krimit në lumin e Lanës, por pavarësisht kërkimeve, një gjë e tillë nuk është konstatuar.

Në vendin e ngjarjes nuk ka kamera sigurie që të kenë filmuar momentin e ekzekutimit, por hetuesit kanë sekuestruar një numër të konsiderueshëm pamjesh të kamerave në zonat përreth, për të rënë në gjurmët e autorëve.

Pas sekuestrimit të provave materiale, hetuesit dyshojne se vrasja të ketë ndodhur për prishje të pazareve të drogës. Kjo pistë është ngritur për shkak se ai është arrestuar për herë të parë në vitin 1998 nga policia turke, bashkë me një grup personash të tjerë që merreshin me trafik të lëndëve narkotike.

Mes personave të kapur ishin edhe Hekuran Hoxha i arrestuar në qershor 2019 si i përfshirë në laboratorin e Hasit, në kuadër të operacionit Volvo 4. Emri i Behar Sofisë, lidhet edhe me ngjarjen e gushtit 2009 ku në Durrës u vranë 4 policë gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit.

Disa herë bizneseve të tij i është vënë lëndë eksplozive në afërsi të stadiumit “Dinamo” në Tiranë, ndaj hetuesit nuk përjashtojnë dhe mundësinë e vrasjes për shkak të ndonjë konflikti në këtë drejtim.

Klan News