Armando Gjini vritet në sy të fëmijëve

Armando Gjini, një nga ish-anëtarët e grupit të Met Kananit u vra në një atentat mafioz paraditen e kësaj të hëne.

48- vjeçari u qëllua me breshëri automatiku në qendër të Rrëshenit. Brenda automjetit, në sedilet e pasme, ndodheshin edhe fëmijët, të cilët fatmirësisht u kanë shpëtuar plumbave.

Mendohet se kanë qenë dy autorët e këtij krimi.

Makina me të cilën kryen atentatin u gjet e djegur disa orë më vonë në fshatin Gziq të Mirditës. Brenda në mjet ishte dhe arma e krimit, një automatik kallashnikov. Ky ishte atentati i dytë në tre muaj ndaj Armando Gjinit. Në Maj në makinën e tij ai kishte gjetur një sasi lënde plasëse.

48-vjeçari njoftoi forcat xheniere të cilat bënë shpërthim të kontrolluar.

Pas vrasjes, policia ka ngritur disa pika kontrolli dhe është duke kryer një operacion në zonat përreth Rrëshenit por ende nuk ka mundur të ndalojë asnjë person. Puna e grupi hetimor është e fokusuar tek e kaluara e Gjinit.

Në 12 Maj të vitit të kaluar Armando Gjini u arrestua bashkë me 17 persona të tjerë si pjesë e grupit kriminal të Met Kananit, i njohur si bosi i një klani ndërkombëtar droge që vepronte në Turqi. Gjini qëndroi në qeli vetëm 25 ditë dhe pas kësaj kohe qëndronte i lirë.

Tv Klan