Autoritetet policore në Holandë kanë vënë në pranga një person, i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e dyfishtë të ndodhur 5 vjet më parë në Roterdam- IJsselmonde. Bëhet fjalë për ekzekutimin e dy vëllezërve nga qyteti i Elbasanit, Florenc dhe Klevis Tola, 29 dhe 25 vjeç, të cilët u vranë në Janar të 2015 në një shtëpi në Bovenstraat.

I arrestuari është një 30-vjeçar po shqiptar, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik nga mediat vendase. Ai mësohet se u arrestua në mesin e muajit Janar në Francë, ku kishte mbërritur nga Turqia. Mediat holandeze shkruajnë se 30-vjeçari dyshohet se është personi, i cili kishte shoqëruar me makinë vrasësit e shqiptarëve në shtëpinë ku ndodhi krimi.

Më 15 Janar të 2015-s, policia gjeti të vrarë me breshëri plumbash dy vëllezërit Tola, në një shtëpi në IJsselmonde. Në banesë autoritetet gjetën 21 plumba, dhe shenja se mes palëve kishte pasur shkëmbim zjarri. Në banesë u gjet gjithashtu drogë.

Pak kohë pas ngjarjes në pranga u vu një 28-vjeçar nga Shqipëria, i identifikuar nga mediat në atë kohë me emrin Herald R. Prokuroria holandeze kërkoi 20 vjet burg për të me akuzën e vrasjes së dyfishtë, por ai u shpall i pafajshëm nga gjykata e Roterdamit, për mungesë provash. Shqiptari u dënua me 4 vjet burg për posedim droge e armësh.

Vendimi i gjykatës u apelua nga prokuroria, por seanca është shtyrë për shkak të arrestimit të ri të bërë për çështjen në fjalë.

Pas ekzekutimit të dy vëllezërve nga Elbasani dyshohet se qëndronin pazaret e drogës./tvklan.al