Viktor Marku kërkohet të merret në pyetje

Dy ditë pas ekzekutimit mafioz të Hekuran Billës, policia ka ngritur disa pista hetimi, por kryesorja mbetet ajo e hakmarrjes.

Për këtë arsye, uniformat blu kanë tentuar të marrin në pyetje vëllain e Prel Markut, që mbeti i vrarë në vitin 2006 nga Billa në Angli, në moshën 20-vjeçare.

Por Viktor Marku nuk është gjetur në banesën e tij, ndërsa të afërmit kanë thënë se nuk kanë dijeni për vendndodhjen. Grupi hetimor e konsideron të rëndësishme dëshminë e tij. Prokurorët kërkojnë të dinë edhe se ku gjendej ai në orën 22:00 të së premtes, në kohën kur u qëllua Billa.

34-vjeçari është shpallur në kërkim policor, por uniformat blu s’kanë mundur ende të bien në gjurmët e tij.

Në të njëjtën kohë, policia po kryen verifikime edhe për konflikte të mundshme të 40-vjeçarit, që kohët e kohët e fundit administronte një biznes të shitjes dhe dhënies së makinave me qira.

Në makinën e atentatorëve, që u gjet e djegur në fshatin Pezë e Vogël, nuk janë gjetur prova të vlefshme, pasi mjeti dhe arma e krimit, një automatik MP5 me silenciator, janë shkrumbuar thuajse tërësisht.

Po verifikohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Komunës së Parisit, ku ndodhi vrasja, në përpjekje për të identifikuar autorët.

Në një video të siguruar nga Televizioni Klan është e pamundur të dallohen atentatorët. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se edhe nga filmimet e kamerave të tjera, nuk ka pamje të qartë të vrasësve, që derdhen 30 plumba ndaj Hekuran Billës.  

Tv Klan