Në pranga 33-vjeçari Gjekson Pusi, ndihmoi Viktor Markun

Arrestohet personi i katërt për vrasjen e Hekuran Billës, mbrëmjen e 11 Qershorit te Komuna e Parisit në Tiranë.  

Ky është 33-vjeçari Gjekson Pusi që dyshohet se ndihmoi Viktor Markun për vrasjen e Hekuran Billës duke e larguar nga vendi i ngjarjes.

Burime nga policia thanë se Gjekson Pusi ka miqësi me Viktor Markun dhe është i dyshuar si atentatori i Fatjon Harushës në Shkodër, ditën e hënë.

Në momentin kur u arrestua për të shtënat me armë në Shkodër, atij iu komunikua edhe urdhër ndalimi që Policia e Tiranës kishte nxjerrë më herët, për dyshimet si bashkëpunëtor në vrasjen e 40-vjeçari Hekuran Billa.

Gjekson Pusi ishte në masën e sigurisë arrest shtëpie, pasi po gjykohej për armëmbajtje pa leje kur ndihmoi në vrasjen e Billës.

Më herët për këtë vrasje janë arrestuar Viktor Marku, nipi i tij Sebastian Mali dhe Adiola Lakra, e cila mendohet se nxorri në pritë viktimen. Vrasja dyshohet se u krye për hakmarrje, pasi Billa kishte vrarë në Angli vëllain e autorit të vrasjes, Prel Markun.

Tv Klan