Policia e Lezhës ka shoqëruar 5 persona në lidhje me ekzekutimin e një ditë më parë të 42-vjeçarit Nikolin Lekstakaj.

Në mesin e të shoqëruarve, sipas burimeve, mësohet se ka nga fisi Nikulajve. Polica një nga pistat kryesore të hetimit për ngjarjen që tronditi Lezhën ka atë të hasmërisë mes Lekstakajt dhe Nikulajve.

Hetuesit besojnë se ngjarja mund të jetë hakmarrje pas vrasjes së Ardian Nikulaj 3 muaj më parë. Fisi Lekstakaj ka qenë në një konflikt të hershëm që ka sjellë edhe viktima me fisin Nikulaj.

Për zbardhjen e ngjarjes policia ka nisur shqyrtimin e të gjithave kamerave të sigurisë së bizneseve në zonën ku u vra 42-vjeçari. Deri më tani nuk ka asnjë informacion për atentatorët, të cilët pas kryerjes së ekzekutimi u larguan me makinë në drejtim të Shkodrës.

Burime bëjnë të ditur se në dëshminë paraprake vëllai i viktimës, Bled Lekstakaj është shprehur se ai sapo ishte kthyer nga Tirana dhe ka qenë duke qëndruar në shtëpi me nënën e tij. Më pas Nikolini i ka  marrë makinën për të shkuar për të blerë diçka. Ai ka dëgjuar krismat e armës, por nuk e ka besuar që mund të jetë vrarë i vëllai. Më vonë është njoftuar mbi ngjarjen.

42-vjeçari kishte ndaluar makinën e tij në marketin në anë të rrugës kryesore dhe me një pije freskuese në dorë sapo kishte dalë te dera kur u gjend nën breshërinë e plumbave nga një makinë në lëvizje, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Tv Klan