Detaje të reja zbulohen nga vrasja e policit në Kosovë, Muhamed Lika, ndërsa deri më tani janë arrestuar 7 persona, mes tyre dhe një i mitur.

Gjykata e Ferizajt është shprehur për Klan Kosova se i mituri ka qenë e më parë i dënuar për një vepër penale për “dhunë”. Po kështu i mituri kishte dhe një urdhërarrest aktiv prej dy vitesh.

“Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se i dyshuari i mitur për rastin në fjalë të veprës penale “Vrasja e rëndë” për të cilën gjykata ka lëshuar Komunikatë për Media dhe ju ka njoftuar se gjyqtari i çështjes ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ka në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale në kohëzgjatje prej dy (2) vite për veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së për të cilën ka të lëshuar urdhërrarrest”, është shprehur Gjykata e Ferizajt.

Lidhur me arrestimin e 7 personave të dyshuar, raportohet se Prokuroria dyshon që motivi i vrasjes së Muhamed Likës vjen për shkak të detyrës së tij si polic. Në mes të arrestuarve është dhe djali i një polici, por nuk dihet nëse është ky i mituri apo jo.

Po kështu u arrestua dhe një ish-pjesëtar i FSK-së.

Kujtojmë se Muhamed Lika u ekzekutua më 1 Prill, pranë banesës së tij pasi kishte përfunduar turnin e tij.

/tvklan.al