Xhontil Bardhi 24 vjeç dhe vëllai i tij Gramoz Bardhi 34 vjeç mbetën të vrarë mbrëmjen e së enjtes në një pritë të organizuar nga 32-vjeçari i dyshuar Roland Pula në fshatin Gramëz të Krujës.

Mes viktimave dhe autorit të dyshuar ka pasur prej vitesh mosmarrëveshje dhe dyshohet që krimi i rëndë të ketë ndodhur për shkak të hakmarrjes.

Foto: Xhontil Bardhi

Vrasja e dy të rinjve tronditi komunitetin lokal në atë zonë. Kjo dhe për faktin se njëri nga vëllezërit, 24-vjeçari Xhontil Bardhi, kishte ndjekur seminarin e priftërinjve në Shkodër. Për vdekjen e tij ka shkruar edhe Dom Gjergj Meta, i cili në një postim në Facebook vajton humbjen e të riut.

“Sa shumë gjana kisha me të thanë sot more Gjon. Por për tash po te them vetëm lamtumirë! E me fal që nuk munda me mbërritë në kohë… Lamtumirë Gjoni i mirë! Lutju Zotit për ne”, shkruan në Facebook Dom Gjergj Meta.

Foto: Xhontil Bardhi me Dom Gjergj Metën

Dy vëllezërit Bardhi u qëlluan me armë rreth orës 22:25 të së enjtes. Ata ndërruan jetë gjatë transportimit për në spital. Ndërkohë që autori i vrasjes së vëllezërve është identifikuar nga policia si Roland Pula 32 vjeç, person me precedent penal dhe i skeduar nga autoritetet.

Foto: Majtas lart, viktima Gramoz Bardhi, vëllai i tij Xhontil Bardhi dhe makina e braktisur e autorit të vrasjes

Pasi vrau Xhontil dhe Gramoz Bardhin, ai braktisi makinën e tij fuoristradë “Mercedes-Benz ML” dhe u largua në këmbë.

Foto: Autori i dyshuar Roland Pula

Për kapjen e tij, në vendngjarje shkuan forca të shumta policore të Krujës dhe Durrësit, përfshirë forcat RENEA dhe FNSH e Tiranës. 32-vjeçari i dyshuar për vrasjen e vëllezërve vijon të jetë në kërkim. /tvklan.al