“Policia i njeh vrasësit por nuk i kap”

Gruaja në foto është nëna e 34-vjeçarit shqiptar Aristidh Papa që u ekzekutua mr armë në një lokal në mes të Athinës pasditen e kësaj të diele. Mediat greke kanë publikuar video të nënës së shqiptarit të vrarë, e cila qan në trotuar, pak metra larg vendit ku iu vra i biri.

Ajo thotë se policia greke e di se cilët janë vrasësit e djalit të saj, por nuk i arreston.

“Ari, ku do ta dëgjoj tani zërin tënd. Ari im… më tha djali që do të dal jashtë…. Ari… Ku është policia? Ku janë vrasësit që vranë fëmijën tim? Nuk i njohin kush janë? I njohin por nuk duan që t’i kapin. Nuk duan t’i kapin… I njohin, i njohin… Shqiptarët e m***it ma vratë djalin”, thotë mes lotësh nëna e 34-vjeçarit të ndjerë.

Aristidh Papa u qëllua me të paktën 8 plumba teksa qëndronte i ulur brenda një lokali në lagjen Sepolia në Athinë. Ai ka marrë plagë në trup dhe në kokë. Vrasësi u fut brenda lokalit, qëlloi me gjaknxehtësi mbi shqiptarin dhe u largua. Sipas shtypit grek, dyshohet të jetë arratisur me taksi.

Mediat e Athinës raportojnë se 34-vjeçari Papa që u ekzekutua është një emër i njohur për autoritetet greke. Ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës, si dhe i dënuar për vrasje në tentantivë, vjedhje e grabitje. 34-vjeçarit i janë bërë edhe atentate të tjera në të kaluarën. I fundit ka qenë në muajin Shkurt sërish në Athinë, kur u qëllua në mes të rrugës.

Edhe në atë ngjarje, atentatorët u arratisën me një taksi, por pistoletën e harruan brenda makinës. Gjithashtu, një ditë para atentatit të muajit Shkurt, Aristidh Papa ishte ndaluar nga policia pasi ishte vënë re duke qarkulluar me një jelek anti-plumb të veshur. /tvklan.al