Personi që shihni në foto është Gjovalin Prendi, 64-vjeçari që u ekzekutua mbrëmjen e kësaj të Enjte në fshatin Pllanë të Lezhës. Viktima ndodhej në ambientet e bar-kafesë në pronësi të tij, kur është qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.

64 vjeçari fillimisht mbeti i plagosur, por më pas si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë ne spital.

Autorët dyshohet se ishin 4 persona dhe lëvizinin me një automjet tip “Porsche”, por hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që vrasësit të kenë lëvizur me 2 makina. Në momentin e ngjarjes në ambientet e bar-kafesë në pronësi të Gjovalin Prendit, ishte dhe një qytetar tjetër i cili fatmirësisht i ka shpëtuar plumbave.


Prendi, rezulton të jetë babai i Roan Brahimit njohur ndryshe si Sidorel Prendi, ekzekutuar në 14 Maj 2024 në Athinë. Ekzekutimi i të riut, Prendi në atë kohë u konsiderua si një atentat tipik mafioz pasi vrasësit e eleminuan atë sapo kishte mbërritur në Greqi nga Dubai.

Sidorel Prendi ishte një emër i njohur për policinë, ai ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh të rënda kriminale të regjistruara ne vend në vitet e fundit. Edhe ekzekutimi i babait të tij, deri në këtë fazë të hetimit sipas policisë dhe prokurorisë është vijimësi e zinxhirit të ngjarjeve të regjistruara në qarkun e Lezhës, por jo vetëm.

Tv Klan