Autorët derdhën 90 plumba mbi 43-vjeçarin

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar detaje për sulmin e armatosur që mbrëmë ka ndodhur në lagjen Butel të Shkupit, ku një person humbi jetën kurse një tjetër ka marrë lëndime të rënda trupore.

Sipas informacioneve të policisë, mbrëmë rreth orës 21:35 në SPB-Shkup është njoftuar se në vendparkimin në rajonin e Çairit, ku ka qenë i parkuar automjeti “Golf 7” me targa të Shkupit, ku kanë qenë vozitësi L.P (24) nga Shkupi dhe bashkëudhëtari K.I (43) gjithashtu nga Shkupi, disa persona me armë zjarri kanë shtënë në drejtim të automjetit.

“K.I ka ndërruar jetë në vendngjarje, kurse L.P është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit të Shkupit, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Ekspertizë në vendngjarje ka bërë një ekip i SPB-Shkup dhe Prokurori Publik, me urdhrin e të cilit trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion, kurse automjeti është dërguar në stacionin policor në Kisella Vodë për procedurë të mëtejshme” – njoftojnë nga MPB-ja.

Siç njoftohet, personi i vrarë mbrëmë në lagjen Butel të Shkupit, është 43-vjeçari Kamer Idrizi, kurse ka qenë i shoqëruar nga nipi i tij 24-vjeçar nga Haraçina e Shkupit. Motivet e vrasjes në natën e Festës së Fitër Bajramit, ende nuk dihen.

Jozyrtarisht sulmuesit që kanë lëvizur me një automjet xhip ngjyrë të zezë, ndaj tyre kanë shtënë me 90 plumba, kurse policia ka gjetur dy karikatorë të “kalashnikovit” dhe dhjetëra gëzhoja, të cilët janë marrë për ekspertizë.

Ndryshe, Kamer Idrizi i cili ka qenë i njohur për organet e rendit, për opinionin e gjerë u bë i njohur në vitin 2019, kur disa persona të maskuar, gjuajtën dhjetëra plumba ndaj tij në hotelin Aleksandar Palas në Shkup.

Klan Macedonia