Sajmir Jaku u qëllua nga dy persona në një lokal

Një vrasje me armë zjarri ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Rrëshenit. Viktimë e këtij atentati ka mbetur Saimir Jaku, 33 – vjeç, ish –Drejtor i Tensionit të Lartë për zonën e veriut. Ndërsa i plagosur ka mbetur Gjergj Prenga, 50 – vjeç, i cili ndodhej në tavolinë me viktimën në momentin kur ndodhi vrasja.

Ky i fundit është transportuar në spital për ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët kanë qëlluar me breshëri automatiku ndaj 33 – vjeçarit Saimir Jaku, i cili qëndronte në ambientin e jashtëm të një lokali në qytetin e Rrëshenit, vetëm 20 metra larg komisariatit të policisë.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 09: 30 minuta dhe menjëherë pas krimit, autorët janë larguar nga vendngjarja me një mjet që ishte parkuar jo larg lokalit ku u krye edhe ekzekutimi. Policia ka nisur menjëherë hetimet, ndërsa rreth 10 persona janë shoqëruar në komisariat, por nga dëshmitë e tyre deri tani nuk është mundur të sigurohet asnjë element i vlefshëm për zbardhjen e ngjarjes. Mësohet se Jaku ishte shkarkuar vetëm një javë më parë nga detyra.

Burime pranë grupit hetimor kanë bërë të ditur se pista kryesore e hetimeve është referuar pikërisht në përfshirjen e mundshme të Jakut në aktivitete kriminale jashtë vendit, pasi vetëm pak vite më parë, ai ka qenë emigrant në disa shtete të ndryshme të Europës. Policia ka identifikuar mjetin tip Benz, që dyshohet se kanë lëvizur autorët. Sipas policisë, automjeti është lokalizuar duke u larguar në drejtim të fshatit Gallatë në Kurbin dhe po ndiqet nga policia. Nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me F.N.Sh-në, po bëhet krehja e zonës në një perimetër të gjerë për kapjen e autorëve. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Tv Klan