Bardhok Planaj 46 vjeç, i njohur edhe si “kumbari”, u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e 4 Prillit në Shkodër.

Viktima po udhëtonte me makinë kur ndaj tij u qëllua me breshëri kallashnikovi. Dyshohet se autorët hapën zjarri nga një tjetër mjet në lëvizje.

Ndërkohë, disa metra larg vendngjarjes, tek “5 Heronjtë”, policia gjeti një makinë duke u djegur. Dyshohet se ky mjet u përdor nga atentatorët e Planajt, të cilët janë të paidentifikuar.

Në vendngjarje shkuan forca të shumta policore. Në ndihmë të forcave vendore u nisën edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Në hyrje-daljet e qytetit u ngritën pika kontrolli dhe postblloqe për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Grupi hetimor sekuestroi kamera të siguriës në zonë të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

Informacioni paraprak i Policisë së Shkodrës:

Më datë 04.04.2021, rreth orës 21:10, në fshatin Dobraç i Ri, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, duke udhëtuar me automjet është vrarë me armë zjarri shtetasi B. P. rreth 46 vjeç banues në Shkoj i Ri.

Shërbimet e Policisē kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli.

Në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar dhe grupe të FNSH Shkodër

Veprimet po kryhen me grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Skeda| Kush ishte Bardhok Planaj:

Bardhok Planaj 46 vjeç ra pre e një atentati mbrëmjen e së dielës në zonën e Dobraçit në Shkodër. Ai ishte një person i njohur për policinë dhe njihej me nofkën “Kumbari”. Në Dhjetor të vitit 2018, Planaj ishte arrestuar nga Policia e Shkodrës pasi akuzohej për pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe ndërtim pa leje. Ai u akuzua se kishte ndërtuar pa leje një pallat 10-katësh me paratë që dyshohet se buronin nga aktivitete kriminale. Ky objekt i ndërtuar në atë kohë kap vlerën e 2 milionë Eurove. Disa vite më parë ai ka qenë përsëri i arrestuar për trafik droge.

Kujtojmë se në vitin 2014, Bardhok Planaj trazoi politikën shqiptare pasi ishte fshehur në makinën e ish-deputetit Mark Frroku. Për t’iu shmangur arrestimit, Planaj ndodhej brenda makinës së ish-deputetit. Sipas raporteve policore në atë kohë, thuhej se i dyshuari mbahej nën përgjim dhe kishte lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë drejt Laprakës me automjetin Audi në pronësi të deputetit. Pllanaj u hetua edhe si pjesë e grupit të të arrestuarve në kuadër të operacionit “Laguna e Vilunit”. Ndaj tij u nxorr edhe një urdhër arresti, por më pas u shpall i pafajshëm për shkak të mungesës së provave.  /tvklan.al