Viktima Bledar Birçaj me precedente penalë

Të paktën 15 plumba kallashnikovi u derdhën mbi makinën BMV me të cilën po udhëtonte Bledar Birçaj mesditën e së hënës në rrugën Hajro Çakërri, një nga zonat më të populluara të Vlorës. Plumbat janë drejtuar drejt vendit të shoferit, ku qëndronte 40-vjeçari që shihni në këtë foto. Për shkak të plagëve të marra ai ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në spital.  

Burime në vendin e ngjarjes thanë se viktima ishte duke udhëtuar me një person tjetër në makinë kur një tjetër automjet i ka prerë rrugën. Pasi kanë hapur zjarr autorët janë larguar me shpejtësi. Nga plumbat ka shpëtuar shoqëruesi i viktimës që është dërguar në komisariatin e qytetit për të dhënë dëshminë e tij.

Bledar Birçaj ishte një emër i njohur për drejtësinë. Në Janar të 2011-s ai është arrestuar i akuzuar për vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone. Së bashku me vëllain e tij ai dhunoi juristin e Hipotekës së Vlorës.

Por në Prill të atij viti gjykata e ndryshoi masën nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Ndërsa në Korrik çështja ndaj Birçajt u pushua për mungesë provash. Viktima njihej si pronar i një lokali në zonën e Lungomares së këtij qytetit.

Konfliktet e të shkuarës është një nga pistat ku po hetohet, por nuk përjashtohen as përplasje të reja dhe përfshirja në aktivitete të paligjshme. Viktima kishte pak kohë që ishte kthyer nga jashtë vendit. Policia ka ngritur postblloqe në akset kryesore dhe hyrje-daljet e qytetit në përpjekje për të ndaluar autorët, por pa rezultat. Personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes janë thirrur të japin dëshminë e tyre ndërsa po mblidhen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.

Tv Klan