Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnate në lagjen nr.18 në Durrës. Një 29 vjeçar i quajtur Ermir Dedja është qëlluar disa herë me armë zjarri teksa po ecte në këmbë në një rrugë dytësore të zonës. Si pasojë e plagëve të rënda, i riu ndërroi jetë në spital.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë ku po vijojnë kontrollet dhe kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë. Ka dyshime se autorët kanë qenë të maskuar

Ndërkohë, siç raporton gazetarja e Klan News Enkeleda Arapi, viktima rezulton person me precedent të mëparshëm kriminalë në fushën e narkotikëve dhe për moskallëzim krimi. Në zonë, njihej si problematik dhe jo i shoqërueshëm.

10 vjet më parë, në 2015-ën, Dedja është vënë në pranga për shitjen e një sasie lënde narkotike tek dy shtetas nga Hasi, që do e trafikonin në Kosovë. Është arrestuar po ashtu në 2017-ën si bashkëpunëtor në një plagosje në Shijak, që asokohe raportohet se ndodhi pas një konflikti çasti për motive të dobëta.

Paraprakisht ka dy pista kryesore lidhur me atentatin, vrasje për hakmarrje ose përfshirja në trafikimin e lëndëve narkotike.

/tvklan.al