U qëlluan nga një makinë në ecje. Policia: Hakmarrje

Ky është 42-vjeçari Nikolin Lekstakaj që u ekzekutua pasditen e mërkurës me breshëri automatiku në Balldre të Lezhës. 42-vjeçari kishte ndaluar makinën e tij në këtë supermarket në anë të rrugës kryesore dhe me një pije freskuese në dorë sapo kishte dalë te dera, kur u gjend nën breshërinë e plumbave.

Goditjet që mori ishin fatale dhe ai humbi jetën në vend. Dëshmitarët e rastit bënë të ditur se autorët qëlluan nga një makinë në ecje dhe këtë e vërtetojnë edhe mbetjet e xhamave të thyer që makina me të cilën ata lëviznin la në vendngjarje.

Policia me mbërritjen në vendngjarje bëri rrethimin e zonës dhe ngriti pika kontrolli për kapjen e autorëve.

Ndonëse hetimet janë ende në fazë fillestare uniformat blu, nisur nga fakti se 42-vjeçari është nga një fis i përfshirë në ngjarje të mëparshme kriminale, besojnë se kemi të bëjmë me një hakmarrje.

Fisi Lekstakaj ka qenë në një konflikt të hershëm që ka sjellë edhe viktima me fisin Nikulaj. Por gjithsesi policia dhe grupi hetimor nuk kanë dalë ende në përfundimin nëse vrasja e sotme është vazhdim i këtij konflikti apo jo.

Tv Klan