Viktima, me precedentë kriminalë në të shkuarën

Ky është Emiljano Ramazani, 39-vjeçari që u ekzekutua me breshëri kallashnikovi pasditen e së hënës në Elbasan. Ekzekutimi mafioz ndodhi në lagjen 28 Nëntori, në një zonë mjaft të populluar.

Televizioni Klan mëson se autorët kanë qëlluar me breshëri nga një makinë në lëvizje, ndërsa viktima ndodhej në automjetin e tij poshtë shtëpisë. Burime policore thanë se në atentat kanë marrë pjesë 3 persona dhe Emiljano Ramazani, baba i 4 vajzave, i njohur me nofkën “Rrahman Zeqa”, nuk u ka mbijetuar dot plumbave.

Pas atentatit autorët kanë djegur makinën e tyre në aksin Bradashesh-Paper, në një ullishte. Brenda makinës ata kanë lënë automatikun kallashnikov të përdorur në vrasje dhe më pas janë larguar me një tjetër automjet.

Të njëjtat burime nga policia e Elbasanit thanë se shkak i vrasjes dyshohet se mund të jetë bërë prishja e pazareve të paligjshme, apo përplasjet mes grupeve kriminale në këtë qytet.

Emiljano Ramazani ishte një person me precedentë penalë në të kaluarën. Ai është arrestuar dhe dënuar për trafik droge. U arrestua në vitin 2012 dhe 2017 me disa persona të tjerë pasi shisnin kokainë në këtë qytet.

Kjo është edhe pista kryesore e hetimeve.

Pas vrasjes forca të shumta policie kanë ngritur kontrolle në Elbasan, Peqin dhe Rrogozhinë. Në ndihmë të policisë vendase shkuan edhe forcat RENEA nga Tirana në përpjekje për të identifikuar dhe ndaluar autorët e krimit.

Tv Klan