Një 36-vjeçar shqiptar është personi që mbeti i vrarë mbrëmjen e kësaj të enjteje në Pisa të Italisë. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30, në Sasso Pisano, komuna e Castelnuovo Vai di Cecina.

La Repubblica shkruan se në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja pistolete. Sipas të dhënave të para, ende të pakonfirmuara, autorët e kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë dy. Ata u larguan me një automjet me ngjyrë të errët dhe autoritetet aktualisht janë vënë në ndjekje të tyre.

Sa i përket shkaqeve, edhe ato janë momentalisht të paqarta, por hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e larjes së hesapeve apo hakmarrjes.

La Repubblica shkruan se viktima, emri i të cilit nuk është bërë ende publik, 8 vjet më parë ka qenë autor i një vrasjeje në Shqipëri, krim për të cilin ka kryer disa vite burg në vendin tonë. Më pas është transferuar në Toscana. Megjithatë media italiane thekson se të gjitha këto janë të dhëna paraprake dhe pritet ende të konfirmohen.

Në momentin që ndodhën të shtënat, në afërsi ndodhej edhe një i moshuar së bashku me një fëmijë, por që fatmirësisht nuk pësuan dëmtime.

E gjithë zona ku ndodhi ngjarja është rrethuar nga forcat e rendit, që kanë nisur tashmë hetimet./tvklan.al