Një 49-vjeçar nga Ukraina është vrarë në një sulm me armë zjarri në Milano. Mediat italiane thonë se ishte një ekzekutim gjakftohtë.
Ngjarja ndodhi në një furrë buke mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 18:30. I plagosur nga ky sulm mbeti edhe një 29-vjeçar po nga Ukraina.
Ende nuk dihen detajet e ngjarjes dhe motivi i sulmit. Vrasësi është në arrati dhe po kërkohet nga forcat e rendit.
Sipas dëshmitarëve, viktima dhe i plagosuri kanë hyrë në furrë dhe kanë porositur ushqim.
Por ndërsa ata po prisnin, vrasësi hyri në dyqan dhe qëlloi me gjakftohtësi dy klientët.
Grupi hetimor pritet të analizojë edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të sqaruar ngjarjen.
Klan News