Po kthehej në banesë, u qëllua nga persona të panjohur

Një 38-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri pak pas mesnatës së kaluar në fshatin Katund të Durrësit. Viktima është Fatjon Dervishi. Ai po kthehej në banesë së bashku me një shokun e tij kur persona të panjohur hapën zjarr ndaj tyre.

Sapo Fatjon Dervishi po kalonte shinat e trenit ai ka ulur shpejtësinë e automjetit të tij për shkak të rrugës së amortizuar ku befas është përballur me një breshëri automatike. Mendohet se autorët ishin pozicionuar më herët duke pritur lëvizjet e tij”, raporton gazetarja Enkeleda Arapi

38-vjeçari që ishte në drejtimin e makinës mori 2 plumba duke humbur jetën menjëherë ndërsa shoku i tij shpëtoi i padëmtuar. Viktima është banor i zonës dhe nuk rezulton të ketë precedentë penalë në të kaluarën.

Fqinjët thonë se ai sapo ishte kthyer nga Italia për të hapur një lokal pranë banesës ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët vijojnë të jetojnë në vendin fqinj.

Në ndihmë të policisë së Durrësit për zbardhjen e ngjarjes shkuan edhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana të cilat ngritën pika kontrolli dhe kryen krehjen e zonës. Të paktën 10 persona janë shoqëruar për t’u pyetur nëse viktima kishte ndonjë konflikt të hapur. Policia po verifikon nëse ngjarja ka lidhje me një plagosje që vëllai i tij kreu në Janar të një viti më parë ndaj të dashurës së tij në një hotel në Durrës, për të cilën po vuan dënimin në burg.

Tv Klan