Ekzekutohet në Shkodër Bardhok Pllanaj



Ekzekutohet në Shkodër Bardhok Pllanaj

23:12 04/04/2021

Gjendet automjeti i djegur që u përdor nga vrasësit

Ky është Bardhok Pllanaj, i ekzekutuar me breshëri automatiku mbrëmjen e sotme në fshatin Dobraç të Shkodrës, pranë vendit të njohur si stacioni i pompave.

Në momentin kur është qëlluar me armë, Pllanaj ishte në lëvizje me makinën e tij, rreth orës 21:30.

Përgjatë rrugës pranë vendit ku u gjet trupi i pajetë i viktimës, mund të shihen gëzhojat e plumbave që i morën jetën 46-vjeçarit. Mendohet se makina e vrasësve ka lëvizur paralelisht me mjetin e viktimës, duke qëlluar për rreth 500 metra me bresheri derisa e kanë lënë të vdekur.

Pas ngjarjes, policia ka gjetur mjetin e vrasësve, tip Volksëagen Passat me targa italiane ku ishin edhe dy armë që u përdorën për ekzekutimin.

Pllanaj është përmendur më parë në media në disa ngjarje kriminale dhe ka qenë i arrestuar nga policia.

Në Dhjetor të vitit të kaluar, Pllanaj sulmoi me armë një lokal pranë vendit të quajtur “5 Heronjtë e Vigut” në Shkodër, bashkë me disa persona të tjerë.

Lokali, në pronësi të efektivit të “Shqiponjave” Albert Pjetri u qëllua 33 herë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Shkak i konfliktit kishte qenë fakti se efektivi i policisë kishte sekuestruar makinën e vëllait te Bardhok Pllanajt.

Disa vite më parë policia dhe prokuroria sekuestroi një pallat me vlerë 2 milionë Euro në pronësi të 46-vjeçarit, i cili u vu nën akuzë për tre vepra penale “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.

I forti i Shkodrës ishte arrestuar edhe për trafik droge, por para arrestimit ai u lakua në media, pasi iu fsheh policisë duke udhëtuar në makinën e ish-deputetit Mark Frroku.

Në raportin e policisë i dyshuari ishte ndjekur ndërsa lëvizte me automjetin “Audi” në pronësi të deputetit.

Gjatë operacionit “Laguna e Vilunit” të zhvilluar më datë 30 Shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, panë të hidheshin nga një mjet lundrue, në det çanta të zeza në përmasa të mëdha.

Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg.

Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali te pritësit e saj, njëri prej të cilëve është identifikuar si shtetas italian.

Tv Klan







Të ngjashme