Një ekzekutim mafioz ka ndodhur në mes të Athinës në Greqi, ku një person është qëlluar për vdekje me armë brenda një lokali.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Sepolia, raportojnë mediat e Athinës. Sipas të përditshmes “Kathimerini”, viktima është 34-vjeçari me origjinë shqiptare i quajtur Aristidh Papa.

34-vjeçari Papa është një person i njohur për autoritetet greke pasi ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës dhe ka qenë disa herë i dënuar për vrasje në tentativë, vjedhje dhe grabitje.

Aristidh Papa ka qenë i ulur në lokal kur një person i panjohur hyri brenda dhe qëlloi me armë në drejtim të tij. Dëshmitarët thonë se kanë dëgjuar rreth 8 të shtëna me armë zjarri.

Shqiptari fillimisht mbeti i plagosur rëndë, por ndërroi jetë pak minuta më vonë. 34-vjeçari ka marrë plumba në trup dhe në kokë.

Ndërkohë, autori i vrasjes u largua në drejtim të paditur. Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat policore, si dhe kanë ngritur postblloqe për të arrestuar autorin. /tvklan.al