Policia arreston një 44-vjeçar si autor të dyshuar

Ky është Tauland Gjikaj, 31-vjeçari që mbeti i vrarë me breshëri kallashnikovi mesditën e së mërkurës në qytetin e Vlorës.

Ai ishte duke ecur në rrugë në lagjen “Bashkimi”, në afërsi të Gjykatës së Apelit, ndërsa është qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Këto janë pamjet vetëm pak momente pas ekzekutimit, teksa 31-vjeçari shihet i shtrirë në rrugë.

Autori i kësaj ngjarje dyshohet se lëvizte me këtë makinë tip Ford me xhama të zinj, ndërsa ka zbritur prej saj dhe ka qëlluar në drejtim të Gjikajt.

Fatmirësisht plumbave u kanë shpëtuar disa qytetarë që qëndronin në një lokal dhe të tjerë kalimtarë që po ecnin në rrugë në afërsi të vendit të ngjarjes.

Policia bëri ndalimin e njërit prej autorëve të dyshuar të këtij atentati. Ai është 44-vjeçari Andi Jonuzaj, i cili mbante dhe emrin Hans, banues në Vlorë.

Gjithashtu, shërbimet e policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjetin tip “Ford”, me të cilin autori tentoi të largohej, si dhe një armë zjarri kallashnikov me të cilën dyshohet se kreu vrasjen.

Policia bën të ditur se ka shpallur në kërkim dhe një person tjetër që dyshohet se ka bashkëpunuar në vrasjen e Tauland Gjikajt.

Tauland Gjikaj është një emër i njohur për drejtësinë, ndërsa ka qenë hetuar dhe dënuar për armëmbajtje pa leje dhe vrasje të mbetur në tentativë, ndërsa mësohet se përdorte disa emra. Ai ka qenë i përfshirë në një përplasje me armë zjarri të ndodhur në vitin 2018 në lagjen 28 Nëntori në Vlorë, ku mbetën të plagosur 3 persona.

Burime nga policia bën të ditur se larja e hesapeve për këtë ngjarje është edhe pista kryesore ku po hetohet, ndërsa nuk përjashtohet edhe pista e prishjes së pazareve të drogës.

Tv Klan