As 24 orë nuk ka zgjatur arratia e Gjergj Mullallit, autori të vrasjes së bashkëshortes Luiza, të cilën pasi e qëlloi me kallashnikov e hodhi për të mbuluar krimin në gropën septike.
Mëngjesin e kësaj të diele u gjet i vetvrarë. 55-vjeçari u gjet në fshatin Zëmblak, në një banesë të braktisur të kushëririt të tij, ku siç shihet në këto pamje pranë trupit të tij të pajetë policia gjeti dhe armën tip kallashnikov, me të cilën vrau dhe gruan e tij.
Mullalli kreu vetëvrasjen pasi u lokalizua dhe rrethua nga policia me qëllim arrestimin e tij. Sipas uniformave blu, 55-vjeçari bëri rezistencë duke iu kundërpërgjigjur me zjarr punonjësve të policisë, derisa i dha fund jetës.
55-vjeçari dyshohet se e vrau bashkëshorten Luiza Mullali, 46 vjeçe për motive xhelozie.
Ata ishin në proces divorci. Fillimisht Mullali e ka qëlluar gruan me një armë zjarri disa herë në pjesën e gjoksit ndërsa më pas e hodhi në një gropë septike pranë shtëpisë së saj dhe u arratis.
Babai i Luizës, Avziu, tregoi se 55-vjeçari kishte tentuar ta mbyste më parë vajzën e tij.
Ata kanë qenë të martuar prej 25 vitesh dhe ishin prindër të 3 fëmijëve, 2 vajzave dhe 1 djali. Për shumë vite, familja Mullalli jetoi në kryeqytetin grek, Athinë.
Tv Klan