Përfshirja në skandalin “Cambridge Analytica” i ka vënë pikëpyetje ekzistencës së rrjetit më të madh social në botë, Facebook.

Mbi Facebook-un hidhen dyshime që nuk ishin ngritur në 14 vite ekzistencë. Analistët thonë për mediat ndërkombëtare se tashmë shumë përdorurës e kanë humbur besimin tek rrjeti më i madh social. Dhe kjo është e arsyeshme pas zbulimit të papritur se Facebook keqpërdori të dhënat personale të mbi 50 milionë përdoruesve, me qëllim ushtrimin e ndikimit në zgjedhje. Për më tepër, një ndër klientët ishte në mënyrë të tërthortë, Presidenti amerikan Donald Trump, i cili dyshohet se është ndihmuar nga hakeret rusë për tu zgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo mungesë besimi ka zhvlerësuar aksionet e gjigandit botëror, duke reduktuar deri me 60 miliardë dollarë vlerën e tij. Në mënyrë demonstrative, Elon Musk drejtuesi i kompanisë më të madhe në botë të automobilave me bateri “Tesla” mbylli llogaritë në Facebook të të gjitha firmave të tij.

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg kërkoi ndjesë publike pavarësisht se nuk është drejtpërdrejtë përgjegjës për gjithçka ka ndodhur, pasi shitja e të dhënave nuk është jashtëligjshme. Por atij i duhet të japë sqarime përpara Kongresit Amerikan e Parlamentit Britanik, që tashmë duhet të ashpërsojnë rregullat e privacisë në internet.

Tv Klan