Spanjës i duhet të mbajë frymën këtë fundjavë, pasi të dielën në mbrëmje luhet sfida më e bukur dhe më spektakolare në botë, ajo mes Real Madrid dhe Barcelonës.

“El Clasico” numër 277 vjen në momentin e duhur për vendasit, që kërkojnë të harrojnë rezultatet e dy javëve të fundit.

Në prag të kësaj ndeshje, trajneri i “Los Blancos”, Zinedine Zidane kërkoi mbështetjen e tifozëve pasi ekipi ndodhet në një moment delikat.

“Është një moment delikat, sepse ne nuk kemi fituar në 3 ndeshjet e fundit në stadiumin tonë. Tifozët janë të mërzitur dhe e dimë këtë. I duam sa më shumë në stadium, pasi na ndihmojnë për të marrë rezultat pozitiv”.

Ndërkohë, trajneri i Barcelonës, nuk i kurseu thumbat për kundërshtarët.

“E kaluara nuk llogarit asgjë tani, pasi çdo ndeshje është e ndryshme. Është një sfidë e rëndësishme dhe ndoshta jo vendimtare për ta, por është më e rëndësishme për ta se sa është për ne. Nëse fitojmë do të afrohemi me titullin”.

Pas 25 javësh kampionat, Barcelona kryeson klasifikimin me 55 pikë, dy më shumë se Real që në rast fitoreje do të merrte kryesimin e La Liga.

Klan Plus