El Salvador i është ofruar Shteteve të Bashkuara që të marrin kriminelët që ata duan të deportojnë nga Amerika. Në këtë ofertë përfshihen edhe nënshtetasit amerikanë për t’i “mikëpritur” ata në mega-burgun e vendit.

Kjo gjë është bërë e ditur nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio gjatë takimit me presidentin e El Salvadorit, Nayib Bukele teksa vizitonte vendin që ndodhet në Amerikën Qendrore.

Bukele tha se i ofroi SHBA-së “mundësinë të transferojë pjesë të sistemit të saj të burgjeve”. Duhet të përmendim se Bukele ka patur një qasje të ashpër ndaj bandave e kësisoj ka fituar mbështetjen e shumë votuesve, por është kritikuar rëndë nga grupet për të drejtat e njeriut.

Rubio tha se SHBA-ja i është “thellësisht mirënjohëse” Bukeles duke shtuar se asnjë vend nuk ka bërë një ofertë miqësie si kjo.

“Ka ofruar që të presë në burgjet e tij kriminalë të rrezikshëm amerikanë në vendin tonë, përfshi edhe ata me nënshtetësi amerikane dhe rezidencë të ligjshme”, tha Rubio.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se El Salvadori do të marrë edhe emigrantë të deportuar si dhe kriminelë të çdo lloj kombësie.

Më pas Bukele e konfirmoi ofertën e tij në platformën X, duke specifikuar se janë të gatshëm të marrin vetëm kriminelë të dënuar (përfshirë edhe ata me nënshtetësi amerikane) në mega-burgun (CECOT) në këmbim të një tarife.

“Tarifa do të jetë relativisht e ulët për SHBA-në, por thelbësore për ne, duke e bërë të gjithë burgun të qëndrueshëm”, shtoi presidenti i El Salvadorit.

Që kur erdhi në pushtet në vitin 2019, Bukele e ka bërë shkatërrimin e bandave prioritet të qeverisë. Burgu i sigurisë maksimale i ndërtuar së fundmi, i njohur shkurtimisht si CECOT, është në qendër të përpjekjes së tij për të mbyllur dhe ndëshkuar anëtarët më të dhunshëm të bandave kriminale.

(Mega-burgu i El Salvadorit ku janë mbyllur anëtarët më të rrezikshëm të bandave.)


Ky burg mund të mbajë deri në 40 mijë të burgosur. Qeveria e “festoi” hapjen e burgut duke postuar disa foto dhe video të burgosurve me kokën e rruar.

Në një qeli në CECOT mund të qëndrojnë deri në 18 të dënuar. Atje nuk ka dritare. E të gjitha këto janë kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut.

Megjithatë qasja e Bukeles ndaj krimit është shumë popullore në shumicën e qytetarëve të cilët thonë se po jetojnë jetën e tyre të lirë larg kërcënimeve nga anëtarët e bandave. Por ka edhe nga të afërm të të burgosurve që thonë se janë kapur gabimisht.

Amnesty International ka kritikuar “zëvendësimin gradual të dhunës së bandave me dhunën shtetërore” në vend. Por kjo kritikë është hedhur poshtë nga Bukele i cili thotë se me qasjen e tij të ashpër ndaj krimit ka rifituar një mandat të dytë me 84% të votave.

El Salvador ishte shteti i dytë të cilin vizitoi Sekretari Marco Rubio në turin e tij të parë jashtë vendit. Ndalesa e parë ishte Panamaja ku ai kërkoi që ky vend të marrë masa të menjëhershme për atë që e quajti si “influenca dhe kontrolli’ i Kinës mbi Kanalin e Panamasë.

Të martën ai do të ketë takime edhe në Kosta Rika dhe Guatemala ku do të fokusohet në emigracion dhe në luftën ndaj influencës kineze në rajon./tvklan.al