vrasja-ElbasanNjë 41-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri pasditen e së mërkurës në Elbasan. Viktima është Arben Çeta. Ndaj tij është qëlluar me breshëri automatiku në momentin që po hipte në makinën e tij tip benz.

Ngjarja ndodhi në orën 17.40 në rrugën që ndan dy lagjet “5 Maji” dhe “11 Nëntori” të këtij qyteti.  Pas atentatit autorët janë larguar me shpejtësi nëpër rrugicat e lagjes.

Policia tha se për shkak të plagëve të shumta Çeta ka humbur jetën menjëherë. Pak pas ngjarjes, në vendin e krimit mbërritën një numër i madh forcash policore dhe ekspertësh ndërsa mësohet se janë ngritur postoblloqe në zonë për të ndaluar autorët.

Burime policore bënë të ditur se pista kryesore e hetimit është ajo e një hakmarrje të mundshme.

41-vjeçari Çeta ka qenë i njohur si njeri me precedentë penalë. Në vitin 1997 ai është dënuar me 13 vjet burg për vrasje. Në vitin 2012 është ndaluar nga policia për veprën penale të grabitjes dhe në 16 nëntor të vitit 2013 ndaj tij u organizua një atentat ku mbeti i plagosur në një lokal në rrugën Elbasan-Librazhd në fshatin Labinot Fushë.

Drejtori i policisë Elbasan Neritan Nallbani, që ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes, u shpreh se pista kryesore mbetet ajo e hakmarrjes ndërsa zyrtarisht nuk ka ende një qëndrim për këtë ngjarje.

TV KLAN