Mbrojtja e mjedisit dhe vlerave kulturore historike përgjatë Korridorit të 8-të. Kështu është titulluar projekti i financuar nga Soros për Shqipërinë. Projekti ka filluar të zbatohet më parë në vendet fqinje si Bullgari dhe Maqedoni. Për këtë qëllim u zhvillua në Elbasan një seminar sensibilizues me pjesëmarrjen e personaliteteve dhe përfaqësuesve lokalë, arkeologë, studentë të fakultetit histori-gjeografi të Universitetit të Elbasanit e të tjerë.

Korridori i 8-të kalon paralel me vijën antike Egnatia. Ndërtimi i tij mund të shkatërrojë vepra kulturore të trashëguara në shekuj. Raste të prishjes së veprave kulturore antike përgjatë këtij korridori është: dëmtimi i stacionit të Rrugës Egnatia në Rrogozhinë, prishja e Stampimit ose në Streptenishtë ku banorët e zonës gërmuan pa ditur me mendimin për të gjetur flori në rrënojat e vjetra.

Pedagogu i historisë Riza Novsa dhe arkeologu Ylli Cerova, theksuan faktin se në Shqipëri nuk mungon kuadri ligjor, por zbatimi i tij ndodhet në nivel tepër të ulët./tvklan.al

Gazetare: Mirela Milori