Shteti dhuron para por punëdhënësi i refuzon ato. Ky një paradoks i çuditshëm që po ndodh në zyrën e punës në Elbasan. Në bazë të një vendimi qeveritar punëdhënësit shqiptarë përfitojnë nga shërbimi kombëtar i punësimit një subvencion që përfshin 70 % të pagës minimale dhe sigurimet shoqërore për punëmarrësit. Drejtori i zyrës së punësimit në Elbasan, Spiro Fara shpjegon se shërbimi kombëtar i punësimit ka në dispozicion 500 milion lekë në formë subvencioni për punëdhënësit.

Në Elbasan ku papunësia shënon shifra të larta dhe problemet sociale janë të theksuara, duhet të kishte dyndje të punëdhënësve për të përfituar para nga shteti, por po ndodh e kundërta. Firmat private nuk interesohen dhe shtetit i duhet të bëjë propagandë për të dhuruar para. Falë kontaktit direkte me punëdhënësin kanë startuar disa programe.

Është duke u zbatuar një program për formimin profesional në një rrobaqepësi. Së afërmi do vihen në jetë dhe dy programe të tjera ku do punësohen 250 vetë. Ka firma private që janë të palicensuara që nuk paguajnë sigurime shoqërore në shtet dhe punësohen të papunët. Ka dhe të papunë që marrin ndihmë ekonomike dhe përkrahje sociale. Por ajo që shqetëson specialistët e zyrës së punës është fakti se megjithëse shteti derdh para për programe punësimi për të papunët, këta të fundit pasi përfundojnë trajnimin nuk punojnë më në ndërmarrjet ku specializohen por i drejtohen punës së zezë./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj