Elbasani në vigjilje të ditës së verës… atmosferë festive në qytet. Banorët kanë hapur dyert dhe po presin miq.

Policia ka marrë masat.

“Shërbimi i Policisë Rrugore do të bllokojë orët e para të mëngjesit gjithë bulevardin kryesor dhe rrugët hyrëse në të. Masat do të jenë të tilla që qytetarët apo përdoruesit e rrugës të na mirëkuptojnë lidhur me problemin e menaxhimit të trafikut që do bëhet nga shërbimet e Policisë Rrugore.”

Dita e Verës është një festë pagane, me qendër në Çermenikas të Elbasanit.

Shekuj më parë, kur njerëzit besonin në perënditë, të parët tanë ilirë i faleshin Diana Candieviensis, perëndeshës së gjelbërimit dhe begatisë. Nga ajo kohë, festa nuk e humbi profilin e saj.

Për këtë ditë, Bashkia e Elbasanit ka konceptuar një program të pasur për të kënaqur të gjithë mysafirët. Është hapur Panairi i Ditës së Verës, Panairi i Librit e Artizanatit. U shfaq opera “Traviata” e Giuseppe Verdit.

Natën do të zhvillohet një koncert i madh festiv, me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe artistëve më të mirë në vend, ndërsa ditën aktivitete nga karnavalet, lojërat popullore, humor dhe performanca cirku./ABC News