Fluksi i turistëve vazhdon të mbetet i lartë edhe gjatë stinës së vjeshtës në Elbasan. Ditët me shi nuk i kanë penguar ata që të vizitojnë këtë qytet, por edhe bukuritë natyrore në shkallë qarku.
Në këtë periudhë spikasin turistët e tërhequr pas turizmit kulturor dhe historik. Objektet më të vizituara në Elbasan mbeten bazilika, muzeu etnografik, kalaja dhe objektet historike dhe kulturore brenda saj.
Brenda në kala takojmë një grup turistësh që janë duke vizituar Xhaminë “Mbret”. Xhamia “Mbret” është një objekt i trashëgimisë kulturore i kategorisë së parë ndër më të vjetrat në Shqipëri e ndërtuar nga Sulltan Bajaziti në vitin 1492.
Një turiste italiane shprehet: Më pëlqejnë xhamitë. Kam qenë edhe në Turqi këtë vit. Më intereson religjoni dhe gjithë karakteristikat e tij.
Edhe myftiu i Elbasanit, Agim Duka, nënvizon faktin se për xhamitë e Elbasanit ka një interes të veçantë. Ai veçon Xhaminë “Mbret” që është një nga objektet e rralla në Elbasan dhe gjithë Shqipërinë, jo thjesht vetëm prej vjetërsisë, por edhe arkitekturës.
Ndërsa një turiste franceze shprehet se: Objektet janë mjaft të bukura dhe rrugët brenda kalasë gjithashtu.
Ndërsa kolegu i saj shton se: Është vërtet këndshëm. Është shumë bukur të vizitosh Shqipërinë. Objektet historike dhe kulturore kanë një kualitet perfekt.
Synimi i pushtetit vendor është që turizmi në Elbasan dhe në mbarë qarkun të ketë një shtrirje gjithë vjetore, ndaj sivjet u punua shumë në drejtim të promovimit, mirëmbajtjes dhe investimeve në zonat turistike.
Tv Klan