Kthehet në postin e Presidentit pas 3 vitesh

Elez Gjoza u kthye në postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes gati 3 vjet pasi dha dorëheqjen për shkak të skandalit të dopingut. Ai u votua nga Asambleja e mbajtur të shtunën në Tiranë. Gjoza tha se lufta ndaj dopingut do të jetë e ashpër.

“Do të vendos me vendim të Kryesisë që sportitët pozitivë në aktivitet do të shkojnë për ndjekje penale”, tha ai.

Elez Gjoza siguroi mandatin në raundin e dytë me 10 vota ndaj 6 që mori kandidatja Eglantina Çuni. Edhe në këtë asamble pati debate, pasi Klubi i Lushnjes përfaqësohej me kryebashkiakun Viktor Tushe dhe dokumenti që e shoqëronte ishte me vulën e bashkisë.

Kjo u kundërshtua nga njëri nga anëtarët e komisionit të votimit Leonard Toska. Mandati i presidentit dhe kryesisë së Federatës së Peshëngritjes është 4-vjeçar dhe synim madhor është medalja në Lojërat Olimpike.

Tv Klan