Prej kohësh i ka munguar skenës së Shqipërisë edhe pse e ka përfaqësuar gjithnjë denjësisht vendin tonë. Emri i saj personifikon zë të fuqishëm, performanca emocionuese, fitore kompeticionesh, talent të kulluar dhe sukses të merituar.

Në një jetë të ndarë midis Shqipërisë, Italisë dhe Francës, këngëtarja e talentuar nga Shkodra, Elhaida Dani,  vjen në studion “Rudina” në Tv Klan për të ndarë ekskluzivisht arsyen e rikthimit në Tiranë.

Rudina Magjistari: Elhaida, je në Shqipëri, ke ardhur pikërisht tani, pse në stinën e Verës, do t’i bësh pushimet këtu?

Elhaida Dani: Zakonisht lëviz vetëm për pushime, kur kthehem në Shqipëri, kthehem se do të takoj mamin e babin, nuk diskutohet, por edhe sepse kam ndonjë projekt, koncert etj. Këtë herë është po e njëjta gjë, kam ardhur në Shqipëri mbi të gjitha sepse jam duke punuar mbi një projekt të cilin mezi pres ta ndaj em publikun shqiptar. Bëhet fjalë mbi një projekt, mbi një “EP” prej 4-5 këngësh, një album, për të cilat jam duke punuar këto ditë në studio pa pushim dhe mezi pres që publiku ta dëgjojë.

Rudina Magjistari: Do ta realizosh gjatë kohës që je këtu, po e realizon në një studio këtu?

Elhaida Dani: Pikërisht, po e punoj këtu me disa emra shqiptarë shumë të njohur, por që për momentin preferoj t’i mbaj sekret. Do të dalë dita-ditës sepse jemi në atë fazë të punës, jemi në fund, por jam shumë e lumtur që kemi arritur të mbajmë gjithçka sekret, që nuk kanë dalë detajet më emocionuese sepse dua që të jetë, nuk po them një bum, por dua të jetë diçka e rëndësishme kur të dalë dhe të marrë vëmendjen që meriton.

Rudina Magjistari: A mund të dimë diçka më tepër, çfarë zhanri muzikor ke trajtuar?

Elhaida Dani: Unë do të jem gjithmonë shumë konkrete dhe besnike e asaj që kam bërë gjithmonë, e asaj që ndihem më mirë, është një pop modern që unë ndihem vetvetja. Jam duke punuar me emra me të cilët kam punuar më përpara, disa të tjerë janë të rinj dhe është hera e parë që punoj, por do të jetë një miks i tillë, do të jem besnike e asaj çfarë kam bërë dhe diçka pak moderne, pak më ndryshe.

Rudina Magjistari: Do të jetë në gjuhën shqipe?

Elhaida Dani: Do të jetë e gjitha në gjuhën shqipe.

Rudina Magjistari: Ishte pandemia që të frymëzoi për të ardhur me një album në këtë moment? Ajo kohë refleksionesh që e kanë shfrytëzuar të gjithë për të reflektuar dhe të gjithë vijnë me projekte tani?

Elhaida Dani: Ishte pikërisht pandemia. Absolutisht e vërtetë sepse për një periudhë, u ndava nga muzika pop dhe iu dedikova më tepër teatrit. E pata të nevojshme, më rriti shumë si person, si artiste dhe më ka ndihmuar shumë të kuptoja që është një profesion dhe rrugë që kam nevojë për të. Por pandemia, sidomos në Itali, ku jetoj, ndaloi gjithçka, ndaluan turnetë dhe për një moment mendova: “Uau mungon diçka, ndiej mungesën e diçkaje, cfarë është?” dhe është pikërisht muzika pop sepse aty kam lindur dhe aty dua të rikthehem të jap kontributin tim./tvklan.al