Bushi: Grup i fortë dhe ekuilibruar, kemi shanse për kualifikim

Kombëtarja Shpresa i ka shanset për të shkuar në finalet e Euro 2025. Ky është mendimi i trajnerit Alban Bushi, i cili thotë se e shikon si të ekuilibruar grupin ku kundërshtarët më të fortë janë Zvicra dhe Rumania.

“Mendoj që është një grup relativisht i fortë dhe i ekuilibruar. Gjithkush mund t’i marrë pikë njëri-tjetrit. Ne jemi ekip modest, por jemi të fortë kur bëhemi bashkë dhe sakrifikojmë për njëri-tjetrin. I kemi të gjitha shanset për t’u kualifikuar”, tha Bushi.

Trajneri i kuqezinjve të rinj thotë se në këto kualifikuese do të ketë pak elementë nga kampionati shqiptar, pasi ekipet nuk zgjedhin të aktivizojnë lojtarë të kësaj moshe.

“Këtë sezon nuk është se ka shumë lojtarë për Shpresat. U bëj thirrje klubeve të aktivizojnë lojtarë të rinj, do të përfitojnë nga ata. Mendoj se 70% e grupit do të jetë njësoj me grupin e tetorit. Unë kam shumë besim se do të afrojmë edhe shumë lojtarë të tjerë”, u shpreh Bushi.

Kombëtarja Shpresa pritet që të zhvillojë miqësore deri në muajin Shtator kur do ta nisin kualifikueset. Kjo do të lidhë lojtarët me njëri-tjetrin dhe do të jetë një mundësi për të parë edhe të tjerë futbollistë për ekipin.

Tv Klan