Edhe pse jemi në 10 ditshin e fundit të muajit Gusht, temperaturat e larta vijojnë të sjellin shqetësim te qytetarët. Çdo ditë pranë spitalit infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” paraqiten 130 deri në 140 persona. Sipas shefes së shërbimit infektiv, Najada Çomo, veç helmimeve nga ushqimet që zënë pjesën më të madhe, problem janë edhe sëmundjet neurologjike dhe ato respiratore.

Si shkaktarët kryesorë të shtimit të infeksioneve të traktit tretës, specialistët shikojnë mungesën e higjienës, ndotjen e ujit, por edhe ushqimet e ndenjura.

Gjithsesi sipas tyre, qytetarët janë ndërgjegjësuar disi, dhe bëjnë më shumë kujdes për mënyrën si i ruajnë ushqimet.

Sipas shefes së shërbimit infektiv, pjesa më e madhe e pacientëve që paraqiten në Spitalin e Sëmundjeve Infektive janë mosha e tretë dhe ata që vuajnë nga një sëmundje kronike. Specialistët u bëjnë apel qytetarëve që të bëjnë kujdes me ushqimet duke i mbajtur në kushte frigoriferike , të eliminojnë konsumimin nëpër fast-foode, si dhe të konsumojnë sa më shumë uji.

Klan Plus