Klubi anglez Manchester United e ka nisur sezonin e ri futbollistik në mënyrën më të keqe të mundshme. Në dy ndeshje të luajtura, renditen në vendin e fundit të tabelës. Humbjeve poshtëruese i shtohet edhe situata me Cristiano Ronaldo i cili kërkon të largohet.

Por së fundmi, ka ardhur një postim në Twitter i miliarderit Elon Musk, i cili deklaroi se do të blejë ekipin e Manchester United.

“Gjithashtu, do të blej Manchester United”, shkroi ai në postimin e tij si “një rrufe në qiell të hapur”.

Kjo deklaratë mori menjëherë 400 mijë pëlqime.

Manchester United vlerësohet rreth 4.6 miliardë Dollarë, ndërsa pasuria e njeriut më të pasur të botës përllogaritet 270 miliardë Dollarë, sipas revistës Forbes.

Ekipi anglez zotërohet nga familja amerikane Glazer. Manchester UTD është në rënie që prej largimit të Sir Alex Ferguson në vitin 2013. Disa protesta janë bërë nga tifozët e klubit ndaj familjes Glazer. Por së fundmi, disa prej tifozëve e mirëpritën interesimin e Musk për të blerë Manchester United.

Por vetëm pak orë pas kësaj deklarate të tij, Elon Musk ka reaguar sërish duke thënë se po bënte shaka.

Kjo ishte një shaka. Nuk do të blej asnjë skuadër futbolli. Megjithatë, nëse do të ishte një ekip, do të ishte pikërisht Manchester United. Janë skuadra ime e preferuar që kur isha fëmijë”, ka shkruar në Twitter njeriu më i pasur i botës.

Ndërsa Manchester United nuk bëri asnjë koment rreth këtyre spekulimeve.

/tvklan.al