Miliarderi Elon Musk ka vizituar këtë të hënë kampin famëkeq të përqëndrimit Aushvic të përdorur nga nazistët.
Vizita e Musk në kampin famëkeq që ndodhet në Poloni, ndodhi pak orë para se ai të merrte pjesë në një konferencë anti-semitizmit të organizuar nga Shoqata Europiane e Hebrenjve.
Musk u fotografua duke vizituar kampin në fshatin Birkenau në jug të Polonisë që është i rrethuar me tela me gjemba ku ndodhen dhomat e të burgosurve dhe një dhomë gazi, të cilat janë aty si një dëshmi e krimeve naziste, si dhe ka një monument për viktimat.
Elon Musk është kritikuar se ka lejuar dhe ka mbështetur teori konspiracioni dhe mesazhe antisemitike në rrjetin social X (ish-Twitter) që ai zotëron.
Gjatë Luftës së II Botërore, më shumë se 1.1 milionë njerëz u vranë nga nazistët në kampin e përqëndrimit Aushvic në Poloninë e pushtuar në atë kohë nga nazistët. Shumica e viktimave ishin hebrenj.
Rreth 6 milionë hebrenj europianë u vranë gjatë Holokaustit. Kur kampi Aushvic u çlirua nga sovjetikët, u gjetën rreth 7 mijë të mbijetuar.
/tvklan.al