Elseid Hysaj ka kaluar dëmtimin që e la atë jashtë fushave për rreth dy muaj. Mbrojtësi shqiptar u rikthye të luajë një ndeshje si titullar te Lazio.

Trajneri Marco Baroni e aktivizoi atë nga minuta e parë në sfidën ndaj Torinos, të mbyllur në barazim 1-1.

Hysaj luajti deri në minutën e 73-të, kur i la vendin Luca Pellegrinit. Shqiptari mungonte nga 2 Shkurti, kur u dëmtua në sfidën me Cagliarin.

Kujtojmë se Hysaj mungoi edhe te Kombëtarja shqiptare për dy ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës, vendin e të cilit e mori Ivan Balliu në të djathtë të mbrojtjes.

Sa i përket Lazios, kjo ishte ndeshja e tretë pa fitore, me kryeqytetasit që mbeten në vendin e shtatë me 52 pikë, po aq sa edhe Roma e vendit të gjashtë. /tvklan.al