Elton Ilirjani: U grimova si vajzë për të emancipuar shoqërinë

Elton Ilirjani: U grimova si vajzë për të emancipuar shoqërinë

18:41 11/09/2019

Ai është një prej personazheve publikë shqiptarë që ka thyer tabu me deklaratat e tij dhe shpesh herë është vënë në qendër të vëmendjes së mediave. Bëhet fjalë pikërisht për Elton Ilirjanin, i cili njihet jo vetëm për faktin që e ka shprehur hapur orientimin e tij seksual, por edhe si një ndër sipërmarrësit e suksesshëm në fushën e ndërmjetësimit mes punonjësve dhe punëdhënësve.

Para disa muajsh, ka bërë bujë në rrjetet sociale, një foto e tij e realizuar nga fotografi Fadil Berisha, me rastin e përvjetorit te 7-të të kompanisë që drejton. Ai zgjodhi të shfaqej ndryshe, me make up të plotë, penel, buzëkuq, ton sysh, dhe rruaza perlash në qafë dhe nëpër duar. Herë pas herë e kemi parë edhe në rrjetet sociale të shfaqet me make up, por për të treguar më shumë rreth këtij ndryshimi, Elton Ilirjani ishte i ftuar sot në emisionin “Rudina”.

Ai u shpreh se ndryshimi i tij është bërë me rastin e 7-vjetorit të kompanisë për të përcjellë mesazhin se të gjithë kanë të drejtë të punësohen, pavarësisht se mund të kenë orientim seksual ndryshe.

“Pjesë e përditshmërisë time është edhe look-u. Unë duhet të ngjaj mirë para klientëve, kandidatëve, por kjo është edhe pak personale sepse unë e kam qejf modën, stilimin dhe krijimin e bizhuterive. Kuptohet që kjo nuk është përditshmëria ime, unë nuk vendos make up. Maksimumi që mund të bëj në përditshmëri është të vendos bizhu. Por kam vënë re që në Ballkan dhe në Shqipëri ka një diskriminim ekstrem ndaj personave transgjinor. Duke parë që unë kam sukses në shumë vende të botës, ndihesha keq të mos i mbështesja me një mesazh personal që do të thotë të vishesha dhe të lyhesha për 7-vjetorin e kompanisë time në New York.

Këto foto kanë një mesazh të qartë në 7-vjetorin e një kompanie punësimi: “Të gjithë kanë të drejtë të punësohen, pavarësisht se mund të kenë orientim seksual ndryshe”. Ishte bukur dhe unë nuk e prisja të dilte kaq bukur. Unë jam rehat me seksualitetin tim, unë jam djalë dhe nuk dua të kthehem në femër, jam 40 vjeç tashmë dhe i kam kaluar këto. Por ishte bukur për të ndryshuar edhe mentalitetin në Shqipëri. Kishte shumë zhurmë, por unë bëra mirë që dola kështu dhe nuk jam pishman sepse hapa një diskutim shumë interesant. Unë jam i suksesshëm, kam bërë një kompani në 9 vende të botës, kam punësuar me mijëra shqiptarë dhe të huaj dhe jam gay, por kjo nuk më bën as të pështirë, as të neveritshëm, përkundrazi, kjo i jep vlerë komunitetit tonë. Ne jemi ndryshe, por nuk jemi të pavlerë”, tregoi Ilirjani./tvklan.al  

LAJMET
Të ngjashme
UKT