Xheje Dunga nuk e ka më kujdestarinë e vajzës, pasi bashkëshorti ka arritur që nëpërmjet shkollimit të vajzës dhe së shkuarës me precedentë penalë të Xhejes, të fitojë kujdestarinë e plotë të saj nga shteti italian.

Megjithatë, kjo nuk e mohon të drejtën e Xhejes për të ndjekur procedura ligjore për rifitimin e kujdestarisë, sikundër vlen e njëjta gjë për babanë e vajzës.

Pavarësisht kësaj çështjeje, që në fillim të rubrikës, Xheja erdhi me kërkesën ndaj së ëmës që ajo ta pranonte sërish në shtëpi.

Ajo i kërkoi ndjesë publike duke u shprehur thellësisht e penduar për të gjitha shqetësimet që i ka shkaktuar.

Por kjo kërkesë hasi në refuzime shumë të forta nga ana e Elvirës dhe as në mbyllje të rubrikës, ajo nuk pranoi që Xheja të kthehej sërish në shtëpi.

Eni Çobani: Çfarë i kërkon nënës tënde sot?

Xheje Dunga: Unë i kërkoj mamit të më falë, i kërkoj ndjesë për të gjitha çfarë i kam bërë se është edhe e sëmurë.

Eni Çobani: Bravo, këtë kam dashur ta bëje që në fillim. Ti duhet të kërkosh një ndjesë shumë të madhe, shumë të madhe.

Xheje Dunga: Po, është edhe e sëmurë dhe unë e di se çfarë sëmundjeje ka ajo, por dua që të më hapë derën, të jetë me mua që edhe unë të marr fëmijën tim dhe të më qasë brenda në shtëpi sepse…

Eni Çobani: Sepse ju nuk keni banesë tjetër. Thuaje edhe këtë, përveç banesës së mamasë ti nuk ke tjetër, këtu në Shqipëri je te zonja Elvira.

Xheje Dunga: Po, po, po.

Eni Çobani: Elvira, e di që të ka fëlliqur, siç the ti se kjo është tamam shumë e rëndë, po si nënë me nënë them që ti duhet t’i hapësh derën.

Elvira: Jo, zonja Eni, jo. Unë nuk ia hap derën, me këto probleme e me ç’më ka bërë mua ajo, nuk e bëj.

Xheje Dunga: Qëkur ka qenë vajza 5 vjeç e gjysmë e deri tani nuk e ka parë fare. /tvklan.al