Opozita e ka akuzuar vazhdimisht për përfshirje në vepra të rënda kriminale, si trafiku i drogës, në Itali. Por Kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, nuk ka shënuar se ka qenë pjesë e ndonjë hetimi të tillë nga drejtësia italiane në formularin për pastërtinë e figurës, apo siç shihet ndryshe, ai i dekriminalizimit. Ndyshe nga sa pretendon opozita, Roshi ka pranuar se është ndaluar, proceduar dhe nënshtruar një gjykimi në Gjermani. Ai shkruan në këtë formular, të bërë tashmë publik, se është gjykuar në qytetin e Mynihut para vitit 2002, por se nuk i kujtohet për cilën arsye është proceduar dhe cili ka qenë vendimi që ka marrë nga gjykata.

Partia Demokratike thotë se përgjigjja që ai ka dhënë në formular se nuk i kujtohen detajet e procedimit, është një përpjekje për t’i shpëtuar ligjit të dekriminalizimit dhe u kërkon organeve të veprojnë.

Ervin Salianji –Sekretar për aksionin qytetar

“Partia Demokratike i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dërgojë menjëherë 

në prokurori formularin e Roshit, pasi fshehja e të dhënave është një vepër penale më vete që do të mjaftonte për ndërprerjen e mandatit të Roshit. Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë dhe organeve që ligji ngarkon me zbatimin e tij, që të nisin menjëherë nga puna.”

Pas publikimit të formularit Elvis Roshi ka dhënë disa detaje të tjera në lidhje me këtë çështje. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ai thotë se gjykimi ka të bëjë me debimin e tij si emigrant i paligjshëm nga Gjermania dhe se në deklaratë ka shkruar se nuk i kujtohen të dhënat e sakta, pasi ka dashur të evitojë gabimet në të dhëna.

“Unë jam ndaluar ne Gjermani nga autoritetet vendase dhe më pas jam dëbuar nga Gjermania. Kjo ka ndodhur pasi kam qene emigrant pa letra. Kam shkruar në deklaratë se nuk më kujtohen detajet e çështjes, pasi dua të jem i saktë në çdo përcaktim. Të gjitha detajet dhe proçedurat e ndalimit dhe debimit tim janë duke u zbardhur nga avokatët e mi dhe do u vihen në dispozicion publikut dhe institucioneve shtetërore sa më parë  të jetë e mundur.” 

Pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për nisjen e procedurave për verifikim, Prokuroria e Përgjithshme zyrtarisht duhet t’u kërkojë autoriteteve gjermane të dhënat e sakta se për çfarë vepre është gjykuar Elvis Roshi duke e shoqëruar këtë kërkesë edhe me shenjat e gishtërinjve.

Në varësi të përgjigjes nga pala gjermane, KQZ vlerëson me kodin penal të shtetit shqiptar se cilës vepër i korespondon në Shqipëri ajo për të cilën është gjykuar Roshi, duke proceduar më pas me ndërprerjen ose jo të madatit të tij, si Kryetar i Bashkisë së Kavajës.

Opozita thotë se për shkak të problemeve me drejtësinë në vende të ndryshme të Europës, Roshi ka ndryshuar edhe emrin, nga Ervin në Elvis.

Tv Klan