OBSH: Varianti Delta, rrezik serioz për një valë të re në Europë

Agjencia Europiane e Barnave thotë se nga të dhënat e saj personat e vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave të miratuara prej saj krijojnë mbrojtje nga variant Indian I koronavirusit I njohur si Delta. Vaksinat e miratura nga EMA, janë: AstraZeneca, Moderna, Pfizer dhe Johnson & Johnson. Në një deklaratë të bërë pasditen e së enjtes, nga përfaqësues të kësaj agjencie thuhet se gjithsesi duhet të ketë një kujdes të veçantë për personat e rrezikuar për shkak të kontakteve dhe të moshuarit.

Më herët Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se Europa kërcënohet seriozisht nga një tjetër valë përhapje e koronavirusit, e ushqyer nga mutacioni indian. Hans Kluge, kreu i OBSH-së për rajonin e Europës ku përfshihen edhe Britania e Madhe dhe Rusia thotë se infektimet e reja javën e kaluar u rritën me 10% dhe reduktimit dy-mujor të rasteve i ka ardhur fundi. Zyrtari i lartë i OBSH-së bën thirrje që qytetarët dhe ligjvënësit të jenë të disiplinuar në menaxhimin e situatës, para se kjo të dalë sërish jashtë kontrollit.

Britania e Madhe theu të enjten një tjetër rekord infektimesh ditore me gati 25 mijë raste të reja. Prej fundit të Janarit, infektimet ditore nuk kanë qenë kurrë kaq të larta. Vala e re po ushqehet nga përhapja e mutacionit indian që dominon infektimet e reja. Megjithatë, vdekshmëria ndodhet në kuota të ulta me vetëm 22 viktima falë edhe nivelit të lartë të vaksinimit që e ka kryer gjysma e popullsisë.

Ndërsa në Rusi, ku niveli i vaksinimit është i ulët dhe të dyja dozat i ka injektuar vetëm 12% e popullsisë, për të tretën ditë radhazi u thye rekordi i viktimave për gjithë pandeminë. Shifra e re më e lartë e rreth një viti e gjysmë është 672 vdekje në një ditë. Infektimet ditore janë po ashtu në nivele të larta mbi 20 mijë.

Tv Klan