Lejohet përdorimi në vendet e Bashkimit Europian

Rregullatori i barnave i Bashkimit Evropian ka miratuar të enjten përdorimin e pilulës antivirale Pfizer kundër Covid-19.

Miratimi nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), i hap rrugë tashmë shteteve anëtare të BE-së të përdorin ilaçin pasi rregullatori dha udhëzime për përdorimin e tij urgjent në fund të vitit të kaluar.

Italia, Gjermania dhe Belgjika janë në mesin e vendeve të BE-së që e kanë bërë tashmë porositë e para për blerjen e këtij ilaçi. EMA po ashtu është duke vlerësuar edhe aplikimin për miratim edhe të pilulës së krijuar nga kompania Merck.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bën të parat vende në dhjetorë që dhanë miratimin për përdorimin e pilulave të prodhuara nga dy kompanitë, Pfizer dhe Merck.

Nga të dhënat laboratorike është konfirmuar se të dy pilulat mund të kontribuojnë në luftën kundër sëmundjes COVID-19, pasi ato ulin rrezikun e hospitalizimeve dhe vdekjeve në mesin e pacientëve që konsiderohen se janë në rrezik të lartë nga koronavirusi.

Miratimi nga EMA e pilulës Pfizer vjen në një kohë kur të gjitha vendet po përballen me valën e Omicron, e cila ka sjellë dhe një rritje të presionit në spitale.

Tv Klan