“Megjithatë përfitimet e vaksinës janë shumë më të mëdha se dëmet”

Agjencia Europiane e Barnave EMA pranon se vaksina e firmës AstraZeneca mund të ketë shkaktuar rastet e trompozave tek disa persona nëpër Europë.

Megjithatë, zyrtarët e kësaj agjencie thonë se përfitimet që sjell vaksina në mbrojtjen ndaj Covid-19, janë shumë herë më të larta se rreziku i krijimit të trompeve.

Komiteti për Sigurinë në Agjencinë Europiane të Barnave rekomandon që rastet e pazakonta të mpiksjeve të gjakut duhet të renditen në listën e efekteve anësore shumë të rralla të shkaktuara nga vaksina AstraZeneca.

Megjithatë zyrtarët e EMA-s thanë se është i paqartë mekanizmi apo faktorët që i shkaktojnë trompozat.

Autoritetet kanë regjistruar 86 raste trompozash tek mbi 25 milionë të vaksinuar nëpër gjithë kontinentin europian, përfshirë edhe Britaninë e Madhe e Irlandën, çka nënkupton se trompozat shkaktohen në 0.0003% të të vaksinuarve.

Këtë përqindje të rasteve të trompozave kanë edhe personat e pavaksinuar. Shumica e rasteve të trompozave tek të vaksinuarit janë femra nën 60 vjeç.

Disa vende europiane si Italia, Spanja e Gjermania kanë vendosur që me AstraZenekën ta vazhdojnë me personat mbi këtë moshë dhe jo tek më të rinjtë.

Tv Klan