Tre ditë nga vendimi i Këshillit Bashkiak Durrës për shpalljen e emergjencës mjedisore, në depozitimin e mbetjeve urbane në Porto Romano asgjë nuk ka ndryshuar.

Kamionë të ngarkuar me plehra shkarkohen në të njëjtin vend. Në ndërmarrjen komunale në varësi të bashkisë Durrës, drejtuesit thonë se deri në një vendim të dytë ato do të vazhdojnë të depozitohen në Porto Romano.

“Edhe pse është marrë ky vendim i Këshillit Bashkiak para 2-3 ditësh, ne vazhdojmë punën në mënyrë të përditësuar për shkarkimin e mbetjeve në këtë fushë, sepse duhet një hapësirë kohore më e zgjatur që ne të reflektojmë ndryshimet që duhen bërë”, tha Fadil Ago, kryetar i degës së Shërbimit Komunal.

Sa shpejt në kohë do të ndryshojë ky realitet, askush nuk mund ta thotë. Thuhet se shpallja e emergjencës mjedisore është vetëm fillimi i një sërë procedurash shkresore dhe ligjore që duhet të ndiqen nga bashkia e qytetit dhe ministritë përkatëse, për të cilat duhet shumë kohë.

“Brenda një periudhe përafërsisht 6, 7, apo 8 mujore, përfundimisht kjo fushë të mbyllet që të vazhdohet të punohet për ta rikthyer në normalitet për mjedisin.”

Gjetja e  një alternative për depozitimin e mbetjeve në Durrës, apo dërgimi i tyre në ndonjë landfill tjetër, mbeten disa nga opsionet. Nuk përjashtohet mundësia e ndërtimit të një të riu në Durrës.

“Për krijimin e një landfilli të ri, i cili mund të bëhet në Bashkinë e Durrësit, ose mund të çohet në Sharrë të Bashkisë së Tiranës.”

Se kur kjo zonë do të kthehet e gjelbëruar siç  kryeministri Rama premtoi kur e pa nga afër gjendjen mbetet për tu parë. Drejtues të ndërmarrjes së komunales të ngarkuar për pastrimin e qytetit dhe menaxhimin e mbetjeve në Porto Romano sqarojnë së kanë nisur marrjen e masave paraprake në terren për minimizimin e nivelit të ndotjes. Fillimisht do të pastrohen kanalet pranë venddepozitimit në Porto Romano dhe më pas do të bëhet rrethimi i zonës.

Tv Klan