Analistët: Format të ri dialogut Prishtinë – Beograd

Serbia i bazon shpresat e saj tek Amerika. Emërimi për të dërguar për Ballkanin Matthew Palmer, i tregon Beogradit se çështja e Kosovës nuk është mbyllur.

Përveç këtij vendimi, Beogradin dhe Prishtinën pritet ta vizitojnë dy kongresmenë amerikanë. Deklarimet e Palmer për marrëveshje dhe njohje të ndërsjellë nuk kanë krijuar tension, por shihen si mundësi për kthim në tavolinën e bisedimeve.

Këtu shpresat nuk kanë munguar edhe për një vizitë të Presidentit amerikan pasi është ftuar disa herë.

Në kryeqytetin serb besohet se është duke u përgatitur një format i ri bisedimesh.

Analisti Marko Savkoviç thotë se është pritur një presion më i madh për zgjidhje në vjeshtë, por afatet kohore që kanë qenë për zgjidhje deri në fund të vitit duket se janë shtyrë. 

“Shenja e parë që jemi duke ecur drejt marrëveshjes do të ishte kërkesa e shteteve të Quintit që Serbia dhe Kosova të ndërpresin bllokimin e tyre. Kjo është kërkesë e Amerikës dhe kjo do ta bënte të qartë se gjërat kanë lëvizur”.

Dushan Janjiç, drejtues i forumit për marrëdhëniet ndëretnike, thotë se kjo nënkupton një formë të re të dialogut. Por, për këtë vit është e vështirë se do të ketë ndonjë progres.

“Nuk e kemi të qartë se kush do të jenë negociatorët. Palmer e shoh pjesë të një formati të ri nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, por edhe të BE-së dhe përfaqësues në nivel politik në dialog pasi nuk ka më dialog teknik”.

Serbia e ka pritur mirë deklaratën e përfaqësusit amerikan për kthim në tavolinën e bisedimeve, por kusht ka heqjen e taksës nga Kosova.

Tv Klan